Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka shpalosur buxhetin e vitit të ardhshëm për Ministrinë e Mjedisit, ndërsa ka specifikuar se nga buxheti i shtetit kësaj ministrie i janë ndarë mbi 250 milionë euro, raporton InLajmi.
Ministri Aliu tha se ndarja e buxhetit është e fokusuar tek punimi i projekteve madhore, ku për autostradën Prishtinë-Gjilan janë ndarë 27 milionë euro.
“Totali i buxheti të ndarë për MMPHI për vitin 2023 është 251 milionë euro. Koncentrimi për ndarjen e buxhetit e kemi bërë te projektet me madhore. Pra tash jemi duke hyrë tek projektet për vitin 2023, duke krahasuar me vitin 2022, Autostrada Prishtinë-Gjilan për vitin 2023 janë ndarë 27 milionë euro në buxhetin e viti 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc- Gjakovë në vitin 2023 janë paraparë 11 milionë euro në vitin 2022 ka qenë 2.5 milionë euro, në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro”, ka thënë Aliu.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu për ndarjen e buxhetit tha se nuk është shifër e madhe dhe sipas saj ky buxhet është politik.
“Po e shoh që është një rritje e buxhetit, por nuk është rritje e madhe, por duke parë që nuk e keni arrit ta shpenzoni buxhetin, në rrethana normale nuk rritet buxheti për vitin e ardhshëm. Duket që është buxhet politik, nuk është i drejtë ky buxhet”, tha ajo.
Këto diskutime u bënë në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim ku është diskutuar për ndarjet e buxhetore për vitin 2023./InLajmi/