Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi është shprehur se e sheh si ofenduese fjalimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në Kuvendin e Shqipërisë, i cili nuk e ka përmendur kontibutin e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, por vetëm të veprimtarit Fehmi Agani, përcjell InLajmi.
Halimi tha se anashkalimi i përmendjes së ish-presidentit Rugova në fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë vetëm se vogëlsi.
Tutje ajo ka shtuar se figurat e rëndësishmë historike të cilat kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës, duhet t’i tejkalojnë inatet dhe ideologjitë partiake.
Postimi i plotë i saj:
Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë.
Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova.
Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi. Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët.
Me sa duket, filozofi gjerman Hegeli me të drejtë kishte shkruar se “historia na ka mësuar se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar asgjë nga historia”./InLajmi/