Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targa të mërkurën. Pas kësaj marrëveshje të arritur po kërkohet edhe Themelimi i Asociacionit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se pas marrëveshjes për targat presin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Natyrisht ne jemi duke punuar dhe kemi punuar për një kohë të gjatë që nga kriza e fundit dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës ishte një nga pritjet themelore nga ana e Bashkimit Evropian, e njëjta gjë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, u shpreh Stano.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka folur për Front Online në lidhje me themelimin e Asociacionit.
Beqa ka thënë se nëse bëhet Asociacioni në harmonizim me Kushtetuesen duhet të ndodhë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë transparente në këtë aspekt me qytetarët.

“Nuk kemi informata shumë për Asociacionin, nëse bëhet në harmonizim me Kushtetutën do të ndodhë por qeveria duhet të jetë e sinqertë, transparente dhe e hapur për qytetarët”, u shpreh Beqa.
Deputeti i PDK-së foli edhe për marrëveshjen e arritur mbrëmë mes Kosovës dhe Serbisë për targat.
Ai thotë se krejt situata e targave ka qenë një dramë e gabuar e kryeministrit, Albin Kurti.
Sipas Beqës, marrëveshja e targave është dashur të bëhet me rekomandime të aleatëve pa shkuar fare në Bruksel.
“Unë konsideroj që kjo marrëveshje është dashur të bëhet me nivel të Qeverisë dhe me marr rekomandime të SHBA-së dhe BE-së pa pasur nevojë të shkojmë në Bruksel dhe ta bëjmë këtë çështje të negociatave me Serbinë për targat kjo ka qenë një dramë e gabuar e Kurtit dhe pasojat do të jenë të mëdha pasi kemi rrethanat kësisoj në pjesën tjetër veriore të Kosovës”, theksoi Beqa.
Themelimi i Asociacionit sipas njohësit të çështjeve politike, Arton Demhasaj duhet të shtyhet deri tek një marrëveshje finale me njohje reciproke.
Demhasaj tha se aleatët po e kërkojnë themelimin e Asociacionit por problemi është si të realizohet.
“Marrëveshja ende nuk është publikuar në publik për ta analizuar në versionin zyrtar por një version që po qarkullon aty është një paragraf flet për zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel që i bie edhe dakoordim i marrëveshjes të asociacionit. Stano, Lajçak po e thonë që duhet me e bërë Asociacionin, problemi është si të bëhet. Nëse është në komfor më Gjykatën Kushtetuese nuk është problem por duhet të shtyhet deri tek një marrëveshja finale që e ka njohjen reciproke”, thotë Demhasaj.
Presioni ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është rritur dhe nga komuniteti ndërkombëtar kanë thënë se në Evropë ka modele të ndryshme, të cilat do të mund të aplikoheshin edhe në rastin e këtij asociacioni.