25 vjet nga luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe
Sot, bëhen 25 vjet nga luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave policore serbe.
Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë serbe në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën me humbje.
Të nesërmen, forcat armike kishin nisur një ekspeditë ndëshkimore me dhjetëra automjete të blinduara për në Vojnik.
Adem Jashari me 10 luftëtarë i zuri pritë dhe, pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën të përgjakura. Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë Adem Jashari, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci, në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe të nesërmen, më 28 nëntor 1997, shkruan Epoka e Re.

Në këtë ceremoni, ku morën pjesë shumë njerëz, me urdhër të Adem Jasharit, dolën në tribunë për herë të parë përfaqësuesit e UÇK-së.