Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka konfirmuar për RTKlive planifikimin e tij për t’u tërhequr nga kjo pozitë. E këtë, thotë ai, ua ka bërë të ditur qysh nga tetori edhe kryeministrit Kurti edhe ministres Nagavci. Megjithatë, ai ka treguar se ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen formale. Ka thënë se këtë do ta bëjë në kohën e duhur, kur t’i përfundojë edhe disa punë.
Pupovci tha se arsyet e largimit nga aty janë personale, por shtoi se edhe pasi të jetë larguar nga posti i zëvendësministrit, do të mbetet aktiv në fushën e arsimit.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI-t dhe këtë ia kam komunikuar ministres Nagavci dhe kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me ministren e kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, tha zëvendësministri, Dukagjin Pupovci.