Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para qytetarëve të Prishtinës ka prezantuar buxhetin për vitin 2023, ku ky buxhet sipas Kurtit do të jetë afro 3 miliardë euro, raporton InLajmi.
Kurti tha se viti i kaluar ishte më i sukseshmi sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike, kjo përkundër faktit të përballes me pandeminë si dhe luftës në Ukrainë.
“Vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike, përkundër sfidave globale, pandemisë Covid-19 dhe luftës ruse në Ukrainë që shkaktoi destabilizim të tregjeve ndërkombëtare sa i përket energjisë, por edhe krizës inflacionare që nuk u kufizua vetëm në kontinetin tonë. Buxheti për vitin 2023 është më i lartë në historinë e Republikës sonë, do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. Prej tyre të hyra buxhetore do të jenë 2 miliardë e 184 milionë euro”, deklaroi Kurti.
Për buxhetin e vitit të ardhshëm, Albin Kurti tha se parashihet shtim I buxhetit në investime kapitale mallra dhe shërbime.
“Në kuadër të buxhetit parashihet shtim i buxhetit për investime kapitale, mallra dhe shërbime, të cilat arrijnë vlerën e 1.3 miliardë euro. Kjo do të ndihmojë në shtimin e aktivitetit bizensor dhe në rritjen e zhvillimit ekonomik. Buxheti që i dedikohet pushtetit lokal dhe komunave, planifikohet të rritet për rreth 100 milionë euro, nga 560 milionë euro sa ishte në vitin në të cilin ndodhemi tani në rreth 660 milionë euro për vitin 2023”, tha kryeministri Kurti.
Këtë takim me qytetarët e Prishtinës për prezantimin e buxhetit për vitin 2023, kryeministri Albin Kurti ka qenë i shoqëruar më ministrin e Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.