Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, veprimet e kryeministrit Albin Kurti për targat e dialogun i quan “Show politik”.
Ish-nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, shprehet se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë propozimet, por edhe kërkesat e partnerëve perëndimorë lidhur me çështjen e targave.
Sipas tij nga situata e krijuar ka përfituar vetëm presidenti serb e Kosova ka humbur në rrafshin ndërkombëtar.
“Çështja me targat, për mua është një ‘show’, shfaqje e panevojshëm. Është një “show”, ku realisht ka përfituar Vuçiq. Ai po e fut politikën kosovare në përplasje të panevojshme, për t’i thënë pastaj BE-së: ‘ja kush janë këta dhe nuk merret vesh askush me ta. Në planin ndërkombëtar, Kosova ka humbur më shumë dhe pastaj edhe kryeministri Kurti”, tha Haliti për Evropa e Lirë.
Sipas tij për ti thënë dikujt jo fillimisht duhet të dijmë nëse jemi të fuqishëm.
“Para se të vendosim që t’iu themi ‘jo’ të gjithë aleatëve tanë, ne duhet të shohim se a kemi fuqi të përballemi me të gjitha. Ku do të shkojmë ne vetëm?”, pyet Haliti.