Profesori universitar, Muhamet Kelmendi e ka cilësuar të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për targat pas kërkesës së SHBA-ve. Kelmendi thotë se Kosova pa bashkëpunim me SHBA-të nuk ka të ardhme.
Ai në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tutje thekson se dje në Bruksel, Borrel dhe Lajçak, punuan dhe morën qëndrim në llogari të shtetit serb.“Pa SHBA-të nuk ka të ardhme Republika e Kosovës. Vendimi i Qeverisë ne Prishtinë është i logjikshëm. Kosova pa bashkëpunim me SHBA-te nuk ka ku shkon. Në Bruksel u pa se si Borel dhe Lajçak i shkelen qëndrimet e UE -së, në planin e njohur, si “francezo-gjerman”.
“Në Bruksel Borel dhe Lajçak, punuan dhe morën qëndrime në llogari të shtetit serb, përkatësisht të neoshovinizmit serbomadh, ndërsa, në konferencë per shtyp fajësuan Kosovë në kohën kur shkaktare e gjendjes është vetë Serbia. Çdo kush i din pikësynimet e shtetit serbomadh ndaj Kosovës. Ne Bruksel njihet krimineli Vuçiq dhe vetë udhëheqja shoviniste serbe. E tërë kjo injorohet nga Borel dhe Lajçak dhe veprohet ne emër të UE-së në dëm të shtetit të Kosovës” tha Kelmendi.
Tutje Kelmendi thotë se është e pakuptimtë se si Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i toleron veprime të tilla anti-union nga Borrel dhe Lajçak. Ai thotë se të dy përfaqësuesit e BE-së po e mbrojnë neoshovinizmin serbomadh.
“Ajo që është e pakuptimtë është fakti pse z.Ursula Von der Leyen, si Presidente Komisionit te Evropës i toleron këto veprime anti-union nga Borel dhe Lajçak. Këta të 2 de-fakto po e mbrojnë neoshovenizmin serbomadh dhe po përpiqen të ç’bëjn Republikën. Në këto kushte, përkrahja e SHBA-ve, është e domosdoshme. Pa Washingtonin nuk mund të shkohet në zgjidhjen e çështjes. Shtyrja për 48 orë është hap i mirë i Qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Besohet se edhe pas 48 orëve do të ketë bashkëpunim në mes Prishtinës dhe Washingtonit, nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi Kelmendi.
Të njëanshëm në proces e ka cilësuar edhe presidentja Vjosa Osmani, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel.