Anëtarja e LDK-së, Sibel Halimi, ditën e hënë ka akuzuar Kryeministrin Kurti për “sorollatjet” siç i quan ajo, jashtë vendit, përderisa Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë pa ministër, përcjell InLajmi.
Ajo tha se kjo nuk është hera e parë që kjo ministri ka ngelur pa ministër, sepse edhe në vjeshtën e vitit të kaluar ka ndodhur e njëjta gjë.
Halimi shton se nga pakujdesia e Kryeministrit Kurti qytetarëve të Kosovës po u rrezikohet shëndeti dhe ekzistenca, kurse ai vet po “shëtitet poshtë e përpjetë” nëpër Evropë.
Postimi i plotë i saj pa ndërhyrje:
Pse s’kemi ministër të Shëndetësisë?
Qeveria Kurti është pa ministër të Shëndetësisë tash e 45 ditë. Por, kjo s’është hera e parë që kjo pozitë u la bosh. Qeveria Kurti ishte pa ministër të Shëndetësisë edhe 45 ditë tjera në vjeshtën e vitit të kaluar. Pra, 90 ditë Qeveria Kurti s’ka pasur ministër për dikasterin më problematik dhe që prek direkt qytetarët e vendit. Kryeministri sorollatet poshtë-e-përpjetë nëpër Evropë, e këtë vit 191 mjekë kanë ikur nga Kosova, atdheu i tyre.
Shëndetësisë publike – pra, ajo shëndetësi që na takon të gjithëve, ajo shëndetësi e njerëzve që s’janë të pasur – i rrezikohet ekzistenca.
S’ka rritje të pagës për mjekët që kanë mbetur, që nënkupton se ka heqje dorë nga luftimi i motivit të tyre për të ikur. As Ligji i Pagave s’duket kurrkund në horizont. S’mungojnë veç ministri e mjekët, por edhe barnat esenciale.
Mungojnë edhe investimet kapitale për ndërtimin e hapësirave të reja shëndetësore; s’ka as aparatura – madje as mirëmbajtje të tyre kur ato ekzistojnë. Mos të flasim për sigurime shëndetësore, për sistem informativ shëndetësor. Askund, asgjë, asnjë hap!
E krejt këto mungesa të pashëndetshme s’janë rrjedhojë e mungesës së buxhetit.
Mbi 700 milionë euro të taksave tona po flenë në arkën e shtetit, dhe po tkurren nga inflacioni. Krejt kjo e ka një shpjegim: Kosova e ka një kryeministër që prioritet i ka videoklipet e udhëtimet e kota. Ndoshta, pas ish-ministrit të shëndetësisë që fluturonte si kryeministri tash, radhën e ka një ministër i shëndetësisë që merret me video-montazha? /InLajmi/