Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij në SHBA është pritur në një darkë pune nga kongresmenë, ish-kongresmenë, ish-ambasadorë, gjeneralë e zyrtarë të tjerë, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se gjatë kësaj darke i njoftoi ata me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, teksa u shpreh i nderuar për pritjen.
I pari i PDK-së i falënderoi të pranishmit për, sipas tij, mbështetjen historike dhe të vazhdueshme për popullin e Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Jashtëzakonisht i nderuar që për nder të vizitës time në Washington DC, u prita në një darkë pune shumë produktive me kongresmenë, ish-kongresmenë, ish-ambasadorë, gjeneralë të pensionuar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të rëndësishme në SHBA.
Kongresmenin e Michiganit John Moolenaar, atë të Marylandit Dutch Ruppersberger, të Virginias Ben Cline dhe pjesëmarrësit e tjerë – i njoftova me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Nga miqtë e mirë të Kosovës, të cilët ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë, kërkova që të vazhdojnë kontributin e tyre të rëndësishëm për vendin tonë, posaçërisht në këtë periudhë të sfidave të shumta. Ndihma e miqve amerikanë për garantimin e sigurisë dhe proceseve integruese të Kosovës është më e nevojshme se kurrë më parë.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, së bashku me ish-ambasadorin Ahmet Shala, të gjithë të pranishmit i falënderuam për mbështetjen e tyre historike dhe të vazhdueshme për vendin dhe popullin tonë.
Për Kosovën dhe PDK-në, miqësia dhe aleanca me SHBA-të është e shenjtë!/InLajmi/