Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, beson se marrëveshja për çështjen e targave serbe është afër të arrihet.
Musliu, në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, tha se Kosova nuk duhet të bie pre e provokimeve të Serbisë dhe të mos jetë ajo e cila shkakton incidente në pjesën veriore.
“Sa i përket marrëveshjes për targa mendoj se është shumë afër ose veçse është finalizuar dhe sigurisht do të dalë në media. Por, duhet të kemi kujdes që të mos jemi ne ata që e shkaktojmë incidentin pasi gjithmonë e prezantojnë sikur ne kemi faj”, deklaroi Musliu.
Ai mes tjerash tha se populli serb në veri është i tmerruar dhe terrorizuar nga bandat kriminale që veprojnë në atë pjesë.
Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet të krijojmë mbrojtje për ta – ligjore dhe fizike nëse duhet.
“Çdo serb që jeton në Kosovë duhet të ngre zërin kundër këtyre bandave dhe individëve sepse kur masivizohet kundërshtimi atëherë e kemi më të lehtë të merremi me ta. Nëse ata tërhiqen neve nuk na lënë terren për të vepruar, por bandave kriminale ju lënë terren të zbrazët për të vepruar ashtu siç edhe po bëjnë në veri”, u shpreh eksperti i sigurisë.
“Bandat kriminale mund të shfrytëzojnë mjegullën sepse ato gjithmonë veprojnë në aspektin e sigurisë kur ka turbulenca. Mund ta shfrytëzojnë edhe situatën në Poloni, kur tërë bota tashmë është e trazuar dhe të shfrytëzojnë momentin për ndonjë incident i cili do të duket sporadik, por do të bëjë jehonë të madhe. Ne nuk guxojmë të biem pre e këtyre provokimeve pasi askush në botë nuk e di më mirë se Kosova mënyrën e veprimit të luftës hibride ruse dhe serbe”, tha ai.