Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm, në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) kanë mbajtur tryezë diskutimi rreth Perspektivës Demografike të Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme, raporton InLajmi.
Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se pasuria më e madhe e Kosovës është popullsia e saj e re, por kjo nuk do të jetë kështu edhe për shumë kohë, sepse popullsia e saj po vjetërohet.
“Një prej aseteve kryesore që e ka Kosova është popullata e saj, sidomos rinia. Por po ashtu duhet të jemi diçka të vetëdijshëm. Ne si me automatizëm po e themi këtë, që aseti për i rëndësishëm për Kosovën është rinia. Por duhet ta kemi në të njëjtën kohë parasysh, që Kosova për çdo vit është më pak e re dhe këtë do ta kemi në vëmendje”, tha Konjufca.
Tutje, ai shtoi se edhe pse Kosova është vendi me natalitetin më të lartë në Evropë, prej vitit 1981 kur është bërë regjistrimi i popullatës deri Kosova ka 400.000 banorë më pak.
“Sepse kur po e themi këtë që Kosova është shumë e re po e themi me një vet kënaqësie, dhe mua më duket që duhet të jetë te shqetësimi sesa të vetëkënaqësia. Për çdo vit që kalon Kosova është më pak e re. Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre. Dhe Kosova po mundohet ta bëjë këtë. Por të gjithë jemi të brengosur që ta zëmë në vitin kur kam lindur unë dhe sot, Kosova i ka 400.000 banorë më pak. Kurse ne jemi vendi me natalitetin më të madh në Evropë”,u shpreh ai.
Më tej, kryeparlamentari Konjufca potencoi se nëse vazhdon situata kështu në vitin 2060 Kosova do të ketë jo më shumë se 1.200.000 banorë.
“Kjo na tregon se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Kjo duhet të jetë në fokus të mobilizimit të të gjitha institucioneve tona për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës ashtu, pra po flas për vitin 1981 kur është bërë regjistrimi I fundit e kur Kosova ka pasur përafërsisht 2.000.000 banorë dhe sot në vlerësime të përafërta thuhet të jetë diku 1.600.000 apo 1.700.000. Po flas kështu sepse s’dëshirojmë që të vijmë në vitin 2060 të themi që ky trend vazhdoi po i njëjti dhe Kosova i ka 1.200.000 banorë. Kjo nuk duhet të ndodhë”.
Sipas Konjufcës kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë dhe secili shtet i botës, përfshirë edhe Kosovën këtu, përpiqen që ta ruajnë moshën e re të popullsisë. /InLajmi/