Rusia po përpiqet të shmangë izolimin diplomatik në samitin e G20 në ishullin indonezian të Balit, teksa aleatët e saj tradicionalë Kina dhe India fillojnë të distancohen nga lufta në Ukrainë, gjë që sipas një draft deklarate nga samiti ka shkaktuar dëme të panumërta ekonomike në botë, transmeton InLajmi.
Narendra Modi, kryeministri i Indisë dhe Xi Jinping, presidenti i Kinës, shprehën shqetësimin për luftën, shkruan Guardian, ndërsa zyrtarët amerikanë kërkuan që Rusia të fajësohet më shumë në deklaratën përfundimtare për shtyp.
Në draft deklaratë thuhet se “shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë” dhe theksoi se “ajo po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe po përkeqëson brishtësinë ekzistuese në ekonominë globale”.
Nikoqiri i samitit, Indonezia, po përpiqet të mbajë referencat për luftën në minimum, duke argumentuar se G20 nuk është një forum sigurie dhe përsëritja e pozicioneve të njohura do të parandalojë përparimin në çështje të tilla si borxhi global dhe rimëkëmbja pas pandemisë.
Është hera e parë që liderët e G20 takohen që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, të cilin Rusia e përshkroi si një “operacion special ushtarak”.
Lufta dhe shqetësimet për inflacionin global, sigurinë e ushqimit dhe energjisë ishin tema diskutimi në takim.
Në fjalimin e tij, Xi tha se ai kundërshton luftën bërthamore, e cila hedh një hije mbi kërcënimet e përsëritura të Rusisë për të përdorur armë taktike bërthamore në Ukrainë./InLajmi/