Kështu e ka nisur shkrimin e tij deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, lidhur me “anomalitë” e Qeverisë së Kosovës, siç i quan ai, përcjell InLajmi.
Ai tha se planifikimi buxhetor i për urën mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit për vitin 2023 arrin shumën e 400.000 eurove, kurse për vitin 2024 e prek shumën e 600.000 eurove.
Por ai nuk ka shpresa që kjo urë do të rregullohet, sepse thotë se me ritmin që e ka nisur qeveria kjo urë mbase mund të rregullohet në vitin 2026.
Tutje, Hoti potencoi se para 2 vitesh ai e kishte ngritur si çështje në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, por janë bërë 2 vjet tashmë dhe asnjë intervenim nuk ka ardhur nga qeveria.
Postimi i plotë i tij:
Çuditesh me anomali të planifikimit buxhetor për 2023.
Ura mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit ka gati 2 vjet që është e papërdorshme nga vërshimet e janarit 2021. Ajo urë i lidh shumë fshatra të Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë. Komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës ka vlerësuar se ura është dëmtuar dhe është në rrezik të shembet.
Asnjë intervenim nuk është bërë për 2 vite, edhe pse unë e kam ngritur si çështje urgjente edhe në dhjetor të vitit të kaluar, kur është miratuar buxheti i vitit 2022.
Shihni anomalitë e planifikimit buxhetor: planifikojnë 400.000 euro për këtë urë për vitin 2023, 600.000 për vitin 2024 dhe 500.000 për vitin 2025.
Me këtë ritëm, ndoshta kjo urë ndërtohet në vitin 2026. Këta njerëz nuk janë në terezi. /InLajmi/