Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri së bashku me deputetin e kësaj partie, Pal Lekaj në një konferencë për media ka folur për Ligjin për paga, ku tha se Qeveria e Kosovës i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publik sa i përket këtij ligji, raporton InLajmi.
“Ne si AAK kemi marrë vendim që të prezantojmë një amendament në këtë buxhet, amandamnet i cili lidhet drejtpërdrejt për nevojën për ngritje lineare të pagave të zyrtarëve publik në të gjitha nivelet, 30%, përveç deputetëve, ministrave dhe anëtarëve të kabinetit, tjerët pa dallim të kenë ngritje të pagave, duke përfshirë sektorin e shëndetësisë, e arsimit në veçanti sektorin e sigurisë, policisë dhe ushtrisë”, ka deklaruar ai.
Tahiri tha se Qeveria e Kosovës i ka gënjyer qytetarët duke u folur për Ligjin për paga, të cilin as nuk e kanë implementuar e as nuk e kanë vendosur në buxhet.
“Sot dhe nesër do të kemi disa konsultime me ekspert të brendshëm edhe me sindikata për të adresuar së paku 2 çështje me rëndësi. Qeveria e Kosovës i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publik, duke iu thënë se do të sjell ligjin e pagave të cilin nuk e ka sjellë dhe mbi të gjitha duke e mos vendosur në buxhet vijën e cila do të futet në zbatim këtë vit ligjin dhe vlerën e koeficientit. E kanë luajtur një lojë shumë të ulët”, tha Tahiri.
Tutje, anëtari i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se kërkojnë 30 % të rritjes së pagës për çdo zyrtar publik.
Lekaj shtoi se pagat nuk janë rritur për asnjë nga sektorët më të rëndësishëm të vendit, siç janë punëtorët shëndetësorë, mjekët, infermierët, mësimdhënësit e madje as për invalidët.
“Nuk ka ngritje të pagave për punëtorët shëndetësorë, për mjekët, për infermierët. Nuk ka ngritje të pagave në arsim, nuk ka ngritje të pagave për pensionistët, nuk ka ngritje të pagave as për invalidët. Prandaj ne pas një analize analitike buxhetore jemi dakorduar që ne të bëjmë mes dy leximeve një amandament që të kërkojmë që 30% të rriten pagat e çdo zyrtari publik”, deklaroi Lekaj.
Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj këto deklarata i bënë në një konferencë të thirrur për media ditën e marte. /InLajmi/
