Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i nxori në shesh 2 gënjeshtrat e kryeministrit Albin Kurti, përcjell InLajmi.
Ai tha se propozimi franko-gjerman që u tha nga kryeministri Kurti nuk qëndron dhe si gënjeshtër të 2-të nga Kurti e ka cilësuar edhe se Serbia ka refuzuar por që sipas tij nuk është e vërtetë.
Molliqaj gjithashtu i është drejtuar Kurtit duke e pyetur se përtej ndershmërisë e sinqeritetit çfarë tjetër fshihet pas mashtrimeve të opinionit.
Ai shtoi se veprimet e Kurtit vijnë nga parehatia dhe pse ai është i vetëdijshëm që strategjizmat e Kurtit kanë limite por edhe dëme.
Postimi i plotë i tij:
Borell nxori dy gënjeshtrat e Kurtit:
Së pari na u tha që është propozim franko-gjerman, e që nuk qenka. Së dyti na u tha që Serbia e refuzoi, e që nuk e paska bërë.
Por përtej ndershmërisë e sinqeritetit, çka fshihet prapa këtyre mashtrimeve të opinionit?
Tërë ato obstruksione me targa, qortime e kërcënime fshehin një pranim që nuk është i gatshëm ta thotë shkoqitur, qartë e drejt. A aq i rëndë na qenka ky kompromis?
Tash, ne pak dimë për propozimin apo mbështetjen franko-gjermane, por reagimet e veprimet e Kurtit vijnë nga një parehati. Sepse është i vetëdijshëm që strategjizmat e tij kanë limite, por edhe dëme. /InLajmi/