Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson shoqërinë, mirëpo kjo duket se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe në institucionet arsimore.
Një rast i kësaj dukurie shqetësuese dhe alarmante është zbuluar së fundi në gjimnazin e shkencave shoqërore ‘Ahmet Gashi’ në Prishtinë.
Një nxënës ka hedhur gaz lotsjellës brenda hapësirave të klasës, duke rrezikuar kështu shokët e shoqet që ishin në të njëjtin ambient me të. Por për fat të mirë, nuk ka pasur persona të lënduar.
Drejtori i shkollës me të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, ka njoftuar organet e rendit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë sekuestruar sprejin dhe kanë arrestuar të miturin.
Ky i fundit është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, shkruan Gazeta Sinjali.
I mituri është dërguar në mbajtje për 24 orë.