Nuk ka gjasa që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të lehtësonin udhëtimin, studimin dhe punën për qytetarët, të vihen në jetë së shpejti.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.
Që të fillojë zbatimi i asaj që u nënshkrua, është e domosdoshme që dokumentet të ratifikohen nga parlamentet e secilit prej vendeve, brenda 18 muajve, gjë që nga ana tjetër është shumë e pasigurt për shkak të procedurave, problemeve të brendshme dhe bllokimeve politike, si dhe marrëdhënieve ndërmjet disa prej këtyre vendeve. Nga ana tjetër, disa prej shteteve tashmë kanë marrëveshje të ngjashme me të tjerat dhe në praktikë dokumentet e Berlinit nuk do të sjellin shumë ndryshime.
Liderët e Ballkanit me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve
Marrëveshja e parë në Berlin parashikon që për udhëtime ndërmjet vendeve të rajonit, në të ardhmen, do të nevojiten letërnjoftimet. Kjo është më e rëndësishmja për qytetarët e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në këto dy shtete. Këtë mundësi tashmë e kanë qytetarët e shteteve të tjera për shkak të marrëveshjeve të mëhershme.
Marrëveshja do të duhet gjithashtu të përmirësojë lirinë e lëvizjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo u nënshkrua nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, gjatë samitit, flamuri i Kosovës është ekspozuar në mesin e flamujve të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Beogradi thotë se tashmë ekziston “Ballkani i Hapur”
Që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të procedohen para deputetëve, ato duhet të shqyrtohen edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Serbisë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) Elvira Kovaç, anëtare e atij komisioni.
Marrëveshjet nga Berlini, megjithatë, ende nuk kanë arritur në Kuvendin e Serbisë. Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se kur do të dërgohen dokumentet në Kuvend dhe as për atë se kur presin që marrëveshja të zbatohet.
Balsha Bozhoviq nga Akademia joqeveritare për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk do të habitej nëse Serbia do të nisë të hezitojë”.
“Ata që i kanë nënshkruar marrëveshjet me mirëbesim, do t’i ratifikojnë ato me procedurë të shpejtë. Ata që nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë dhe që duan të krijojnë kriza të reja në Ballkanin Perëndimor – mendoj se regjimi në Serbi njihet si njëri nga ata që po thellojnë krizën -do të përpiqen që edhe me këtë të shantazhojnë partnerët ndërkombëtarë”, thotë Bozhoviq.
Ai vlerëson se procesi i Berlinit tregoi supremacinë në raport me “Ballkanin e Hapur”. Ai konsideron se Aleksandar Vuçiq, si president i Serbisë është shumë i pakënaqur që “Ballkani i Hapur” nuk është përmendur në asnjë fjali në Samitin e Berlinit dhe se kjo është një nga arsyet kryesore pse Vuçiq nuk ishte në Berlin.
“Ai ia la Ana Bërnabiqit të nënshkruajë marrëveshjet që Serbia do të duhet t’i miratojë shumë shpejt, nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së.
Kancelari gjerman (Olaf Scholz) deklaroi se vendi tij qëndron pas Ballkanit Perëndimor.
Ky është një impuls shumë domethënës dhe mendoj se në njëfarë mënyre ia prishi planet regjimit në Beograd, i cili mbase konsideron se më nuk do të jetë ai që do ta ketë fjalën kryesore në rajon”, thotë Bozhoviq.
Më 3 nëntor, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ato janë të rëndësishme mbi të gjitha për të rinjtë në rajon, por edhe se “nuk di se për çfarë të duartrokasë”.
“Çfarë po nënshkruajmë këtu dhe kush do t’i zbatojë? Si mendoni se do të sillet [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ndaj atyre marrëveshjeve? Ashtu siç dëshiron. Asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar deri më tash dhe askush nuk i ka thënë asgjë”, tha Bërnabiq.
Megjithatë, ajo nuk u deklarua lidhur me atë se a do t’i zbatojë Beogradi marrëveshjet që ka nënshkruar, por tha se “është veçanërisht e rëndësishme që këto marrëveshje të mos devijojnë nga ajo për të cilën jemi marrë vesh ose po merremi vesh në kuadër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.
Kosova dhe Serbia, në fund të gushtit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, arritën një marrëveshje për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje, të cilat deri atëherë kishin zëvendësuar letërnjoftimin.
Qeveria e Kosovës, e pyetur nga REL-i lidhur me ratifikimin e marrëveshjes së Berlinit, ka dhënë përgjigje të shkurtër se shteti “do të fillojë procedurat e nevojshme në kohën më të shkurtër të mundshme, bazuar në Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare”.
Qytetarët e Kosovës udhëtojnë me letërnjoftim kudo në rajon, duke përjashtuar Bosnje e Hercegovinën, me të cilën ka regjim të vizave. Me letërnjoftim ata mund të udhëtojnë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri, shkruan Rel.
Përveç Serbisë, Bosnje dhe Hercegovina është gjithashtu i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e njeh pasaportën e saj si dokument të vlefshëm.