Presidenti Bajram Begaj foli sot nga konferenca e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.
Në fjalën e tij ai tha se është e rëndësishme që lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla.
Ndër të tjera ai theksoi se puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët.
Presidenti nënvizoi se rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimi i rregullave të saj.
“Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe. Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare”, theksoi Begaj, shkruan Euronews.al.
“Ngjyrimet dialektore janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme. Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit. Shqipja është bota jonë një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj. “Një komb një gjuhë”, tha Presidenti Begaj.