Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimet Musliu, ka thënë se gjendja në veri për momentin është e qetë, por me mundësi përshkallëzimi raporton InLajmi.
Për situatën në veri, pas zhvillimeve të fundit atje, në Komisionin kuvendar ka raportuar kreu i AKI-së, Petrit Ajeti, i cili ligjvënësit siguroi se gjendja në veri dhe gjithë vendin është e qetë dhe stabile.
Por deputetja Musliu, duket sikur ka frikën se në veri situata mund të eskalon, prandaj ka theksuar nevojën e vigjilencës dhe koordinimit të duhur institucional.
“Sot e kishim në raportim rreth gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës Drejtorin e Agjencisë për inteligjencë të Kosovës Petrit Ajeti me të cilin diskutuam gjer e gjatë dhe u informuam për gjendjen në veri. Sa i përket gjendjes së sigurisë mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Prandaj institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm”, tha Musliu, duke shtuar se situata në veri ka krijuar momentin që më shumë se kurrë duhet koordinim institucional.
“ Sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim të institucioneve të vendit. Bashkëpunim më i madh i qytetarëve të Kosovës me institucione të sigurisë dhe apel për mediat për qytetarët që ti shmangeni dezinformatave të cilat dalin nga mediat serbe sepse na rastis të biem pre e lajmeve të rreme”, theksoi Musli, duke theksuar se të gjithë duhet të jemi vigjilentë dhe në ruajtjen e qetësisë duke i ikur provokimit të situatës.
“Si Komision jemi unik në qëndrimet tona dhe i ofruam mbështetjen tonë drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar në vend. Ne do të jemi të kujdesshëm të mos i lëndojmë proceset që janë duke u zhvilluar atje. Tani më shqetësimet i kemi të njëjta nga tereni por gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë por të jemi vigjilentë për të mos provokuar situatën. Stacionet policore janë të boshatisura mirëpo policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit atje”, deklaroi deputetja Musliu./InLajmi/