Kryeministri, Albin Kurti deklaroi se sundimin e ligjit Qeveria e ka përgjegjësi por edhe obligim institucional dhe sundimi i ligjit nuk është zgjedhje, është detyrim, raporton InLajmi.
Shefi i ekzekutivit të vendit Albin Kurti i’u bëri thirrje qytetarëve serb që mos të bojkotojnë e braktisin institucionet.
Tutje tha Kurti se sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes dhe se këto janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë.
I pari i qeverisë duke folur për situatën e krijuar në veri pas fillimit të zbatimit të vendimit për konvertimin e targave RKS, tha se mungesa e ligjshmërisë përbën kërcënim për të gjithë në veçanti për qytetarët tanë në komunat e veriut të vendit.
“ Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje. Është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në 4 komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit”, tha kryeministri Kurti
Shefi i qeverisë në mbledhjen e kabinetit të tij të mërkurën tha se problemet në veri nuk janë për shkak të vendimeve e as afateve tona.

“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona. As afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes. Asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që problem e kanë ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë”, deklaroi i pari i qeverisë, ndërsa përsëriti përgjegjësinë që ka qeveria ndaj gjithë qytetarëve.
“Ne jemi qeveri e përgjegjshme. E të gjithëve. Kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim”, theksoi Kurti, duke shtuar se Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë dhe aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.
Kryeministri Kurti ka falënderuar bashkëqytetarët serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë. /InLajmi/