Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas takimit me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ka konfirmuar se vizita e saj që pritej të bëhej në dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyer, përcjell InLajmi.
Haxhiu tha se situata aktuale politike në vend ka sjellur të 2 palët me propozimin që vizita duhet të shtyhet për një datë më të përshtatshme.
Ajo gjithashtu shtoi se lajmet se viza i është anuluar janë të gjitha dezinformata dhe se nuk janë fare të vërteta.
Haxhiu tha se datën e vizitës do ta tregojë me kohë.
Postimi i plotë i saj:
Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA.
Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën.
Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta.
Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t’ua kumtojmë me kohë./InLajmi/