Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ditën e martë pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti tha se mbështetja e PDK-së do t`i ofrohet kryeministrit vetëm nëse ai i koordinon të gjitha veprimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton InLajmi.
Krasniqi tha se jemi në një situatë ku nuk ka epilog dhe situata mund të përshkallëzohet për të keq nga momenti në moment.
Tutje, ai tha se në takim u diskutua për situatën aktuale në Veri të Kosovës dhe mënyrën se si është shkaktuar ajo.
Por ajo që atij i ka interesuar më shumë kanë qenë planet e Qeverisë për menaxhimin e kësaj situate.
“Patëm diskutim rreth asaj se si është situata, si ka ardhur deri këtu. Më shumë u interesova për planet e qeverisë për menaxhimin e situatës në veri. Shpresoj që Qeveria e di se çfarë veprime duhet të ndërmerr për ta menaxhuar këtë situatë” tha ai.
Krasniqi tha se Kosovës tani i duhen veprime të përgjegjshme për ta ruajtur sovranitetin.
“Sa i përket vazhdimit të sovranitetit në 4 komunat veriore qeveria duhet të ndërmerr veprimet që i takojnë edhe do ta ketë përkrahjen e PDK-së, në Kuvend dhe në çfarëdo forme tjetër”, shtoi ai.
Sa i përket arsyes së shkaktimit të kësaj situate, pra procesit të targave, Krasniqi tha kjo është një situatë që ka mund të shmanget.
“Sa për targat ka mundur të shmanget. Papjekuria ndonjëherë sjell një momentum që ka mundur të shmanget.”
Tutje, ai shtoi se mbi të gjitha Kosova është prioritet, dhe pavarësisht të gjithave duhet të fokusohemi të procesi i dialogut mes 2 vendeve.
“Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që kryeministri e qeveria e dinë së në çfarë rruge kanë hyrë dhe se si duhet të dilet nga kjo situatë.”
Ai u shpreh së nuk ka dalë nga takimi edhe aq i sigurt për faktin se Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Kurti e dinë saktë në çfarë situate janë futur dhe si të dilet nga kjo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, këtë e bëri të ditur në një prononcim për media pas përfundimit të takimit. /InLajmi/




















