Një punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë thotë se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vitesh shërbimi, pasi më 5 nëntor, në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, është vendosur që pjesëtarët e komunitetit serb të dorëhiqen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Si shkak është theksuar “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjegjësisht është kërkuar që të anulohet vendimi për riregjistrimin e automjeteve me targat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë akronimet e qyteteve në Kosovë, si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, dëshmon punonjësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.
Identiteti i saj është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).
Gjyqësori është integruar në sistemin e Kosovës në vitin 2017, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, më 7 nëntor, gjyqtarët dhe punonjësit administrativë serbë u dorëhoqën zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, thotë e intervistuara nga REL-i.
Policia e Kosovës, në dy muajt e fundit ka regjistruar pesë raste të djegies së pronës së personave, të cilët kanë vendosur të zëvendësojnë targat KM (Mitrovicë e Kosovës) me targa RKS (Republika e Kosovës), gjë të cilën autoritetet e Kosovës e karakterizojnë si “kanosje”. E fundit ka ndodhur më 8 nëntor në Zveçan.