Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ditën e martë ka vizituar kampin e përqendrimit në Aushvic – Birkenau, në Poloni, përcjell InLajmi.
Vizita është aranzhuar nga Asociacioni Evropian i Hebrenjëve dhe pjesëmarrës në këtë vizitë ishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kryetarja e Kuvendit të Çekisë, Sekretarja e Senatit të Francës, deputetë dhe zyrtarë të shteteve evropiane.
Hoti tha se ky kamp është ai që na kujton se nuk duhet të lejojmë të ndodhin kurrë më krime mbi njerëzimin.
Postimi i plotë i tij:
Me ftesën e Asociacionit Evropian të Hebrenjve isha pjesë e delegacionit për vizitë në kampin e përqendrimit në Aushvic-Birkenau, Poloni. Pjesë e delegacionit ishin Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Olivér Várhelyi, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazovic, Kryetarja e Kuvendit të Çekisë, Sekretarja e Senatit të Francës, deputetë dhe zyrtarë të shteteve evropiane.
Ky kamp është një nga dëshmitë që tregon krimet mizore mbi popullin hebre. Vetëm në këtë kamp janë vrarë rreth 1.1 milionë njerëz të pafajshëm, shumica absolute hebrenj, si dhe polakë, romë e të tjerë.
Qëllimi i kësaj vizite është që të përkujtojmë viktimat dhe të mos lejojmë të ndodhin kurrë krime mbi njerëzimin./InLajmi/