Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se situata në veri është si shkak i grupeve të koordinuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raporton InLajmi.
Ndërkaq për dorëheqjen e deputetëve nga Lista Serbe, Sveçla tha se ata dorëzuan mandatet pas bisedave me presidentin Vuçiq.
“Sa i përket situatës së fundit në pjesën veriore të vendit. Është evidente që pjesë e këtij orkestrimi nuk janë serbët lokal por grupe të caktuara dhe të organizuara në koordinim me Vuçiqin. Veprimet e Listës Serbe erdhën pas bisedimeve me Vuçiqin”, tha Sveçla.
Ministri Sveçla, po ashtu ka deklaruar se zyrtarisht deri tani janë paraqitur 578 dorëheqje të serbëve nga Policia e Kosovës.
“Kjo ka për qëllim të destabilizojë situatën në vend. Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga polica kufitare dhe 10 nga hetimet. Këto dorëheqje po vijnë nga shantazhet po rrezikohet edhe jeta e vetë këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk japin dorëheqje”, ka thënë ministri Sveçla.
Sveçla, tutje tha se në 4 komunat veriore janë organizuar aksione kundër krimit të organizuar.
“Pra, e vetmja etni të cilën po e luftojmë është ajo e krimit dhe korrupsionit. Krimi në 4 komunat në veri ka qenë i zhvilluar e mirëmbajtur ndër vite. Krimin e kemi luftuar edhe në ato pjesë i kemi realizuar 38 operacione për një vit, janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave, pajisje me vlerë 300.000 mijë euro, laboratorë të kriptovalutave”, tha Sveçla.
Ministri Xhelal Sveçla, në fund shtoi se në aksionet e zhvilluara janë mbyllur 11 rrugë të cilat kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin me qenie njerëzore.