Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se zgjedhjet në veriun e Mitrovicës do të mbahen pasi të shpallen ato nga presidentja Osmani, raporton InLajmi.
Elezi tha se KQZ-ja do t’i përmbushë të gjitha detyrimet ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet Kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi.
Elezi, po ashtu ka deklaruar se KQZ-ja do të fillojë me përgaditjen për mbajtjen e zgkedhjeve në veri të vendit, posa të shpallen ato.
“KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”.
Në fund, Elezi ka thënë se KQZ-ja nuk ka buxhet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të paplanifikuara.
“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, ka deklaruar Elezi.
Mbajtja e këtyre zgjedhjeve në veri erdhi si pasojë e dorëheqjes së deputetëve nga lista serbe nga Kuvendi i Kosovës. /InLajmi/