Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se situata aktuale në Veri të vendit është më serioze sesa ajo që ka qenë ditë më parë.
Mustafa ka deklaruar se bashkëpunimi i ngushtë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë një faktor kyç për Kosovën dhe stabilitetin e saj.
“Të gjitha proceset më të rëndësishme në Kosovë, që nga Rambueja e deri më tani i kemi kapërcyer duke bashkëpunuar ngushtë sidomos me SHBA-të. Prandaj, jo vetëm këtë fazë por edhe çdo sfidë në të ardhmen duhet ta bashkërendisim me Shtetet e Bashkuar”, tha Mustafa.
“Nuk duhet të ndihemi keq se jemi shtet i vogël dhe t’ua kthejmë fjalën partnerëve tanë strategjik, sepse ata e dinë së paku se sa na jemi sovran, kur akoma nuk e mbikëqyrim plotësisht një pjesë të territorit, kur për paqen kujdeset NATO-ja dhe është në fuqi Rezoluta 1244 e KS”, tha Mustafa.
Tutje, ish-lideri i LDK-së shtoi se shteti ynë është futur në grackën e Serbisë, duke vlerësuar se është e pamundur të zgjidhet situata në Veri pa bashkëpunim të plotë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.
“Kosova është futur në grackën e Serbisë. Situata tani është tepër më e rëndë sesa para një jave. Është vështirë, për vlerësimin tim edhe e pamundur, që të zgjidhet problemi me komunat e veriut pa pashkëpunuar ngushtë me SHBA-të dhe BE-në. Prandaj do duhej të respektohen kërkesat për prolongim të masave për tabelat dhe të fokusohet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse e cila i zgjidhë edhe tabelat”,deklaroi Mustafa për indeksonline.
Ai gjithashtu vlerësoi se realizimi i kërkesës së ndërkombëtarëve, lidhur me Asociacionin, është e ndërlikuar, pasi ka ndryshuar ambienti dhe momentumi.
“Kërkesa për Asociacionin tani është më e ndërlikuar, sepse ka ndryshuar ambienti dhe momentumi. Ndryshe do të ishte që të bisedohej për këtë temë pa presion politik e ndryshe më një kushtëzim të qartë serb dhe në një presion të madh dhe shumë konkret ndërkombëtar”, përfundoi Mustafa.