Kjo javë parashihet të sjellë mot fillimisht të qetë dhe stabil, por të ndryshueshëm sidomos afër fundit të javës.
Reshje atmosferike nuk pritet të ketë gjatë ditëve të punës së kësaj jave, megjithatë rrallë në disa vise mund të ketë riga afatshkurtra shiu, ndërsa temperaturat pritet të jenë rreth ose pak mbi vlerat mesatare për periudhën kohore në të cilën gjendemi.
Nesër (e hënë) në viset mesdhetare do të ketë shumë intervale kohore me diell, ndërsa në viset kontientale priten vranësira të shpeshta, por reshjet do të jenë simbolike.
Nga e marta deri të premtën në tërë rajonin priten intervale kohore të gjata me diell dhe vranësira të pakta lokale. Mëngjeset dhe netët do të jenë të ftohta dhe me mundësi për mjegull nëpër disa lugina dhe ultësira, ndërsa ditët kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, shkruan Meteo Ballkan.
Temperaturat në viset kontientale në pjesën më të ngrohtë të ditës pritet të arrijnë rreth 16 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa në viset mesdhetare nga 20 deri në 23 gradë Celsius.