Në 6-të vjetorin e vdekjes të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Rrethanat e vrasjes, sipas saj, “mbesin padrejtësisht enigmë, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë”.
“Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes. Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo thotë se brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si ministri e Drejtësisë ka kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari.
“Me ç’rast pas gjetjeve të Raportit, ka rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit”, ka shkruar ajo.
Rasti Dehari, sipas saj, nuk mund të zbardhet me pasivitet nga prokuroria.
“Zbulimi i saktë i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij. Prokuroria duhet t’i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, Astriti ishte aktivisti politik i ngritur, i përgatitur për jetën, për veprimtarinë kombëtare e politike, për shtetin dhe shoqërinë.
“Institucionet e shtetit duhet me doemos ta zbardhin rastin e tij, e shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin”, pëercjell RTK.
Ndryshe, më 5 nëntor të vitit 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari.