Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se sfidat e brendshme sidomos ato në veri janë tentimet e fundit për të parandaluar Agjendën Evropiane të bëhet realitet, raporton InLajmi.
Abazi, theksoi se sërish po dëshmohet që Lista Serbe dhe strukturat artificiale të krijuara nga Beogradi nuk e kanë për qëllim përfaqësimin e interesave të qytetarëve serb, por janë instrumente politike dhe shantazhuese të stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës.
“Sfidat e brendshme sidomos ato në veri janë tentimet e fundit për të parandaluar Agjendën Evropiane të bëhet realitet. Edhe një herë po dëshmohet që Lista Serbe dhe strukturat artificiale të krijuara nga Beogradi nuk e kanë për qëllim përfaqësimin e interesave të qytetarëve serb, por janë instrumente politike dhe shantazhuese të stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës. Andaj, qëndrimi ynë duhet të jetë i kujdesshëm dhe shumë i mençur për të mos lejuar që këto struktura të gjejnë justifikim për të marrë peng qytetarët e Veriut të Kosovës dhe të krijojnë rrethana të atilla që zhvendosin vëmendjen e zbatimit të Agjendës Evropiane nëpërmjet Procesit të Berlinit në agjendë që i shkon në favor forcave të errëta dhe interesave të Rusisë në Ballkan”, është shprehur Abazi të premten në një konferencë për media ku foli për Procesin e Berlinit, marrëveshjet e arritura atje sikur edhe pozicionin e Kosovës në këtë proces.
Tutje ka theksuar deputeti se tani është më se e rëndësishme që i gjithë spektri politik në vend të unifikohet për realizimin e agjendës evropiane.
“Është shumë me rëndësi që përkundër pikëpamjeve të ndryshme, i gjithë spektri politik të unifikohet dhe të fokusohemi në avancimin e Agjendës Euro-Atlantike, prej të cilës përfitojmë të gjithë, përfshirë edhe qytetarët e Veriut të Kosovës. Në Berlin dje dhe në Tiranë nesër ka filluar që përfundimisht të paraqitet e ardhmja e ndritur e Ballkanit, si pjesë integrale e Bashkimit Evropian, tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi. /InLajmi/