Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar ndaj rastit që ndodhi në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë, ku një e moshuar është sulmuar nga një infermiere, teksa në videon që u shpërnda sot infermieret e tjera në asnjë moment nuk ndërhyjnë, por e mbështesin kolegen e tyre duke xhiruar dhe qeshur, përcjell InLajmi.
RRGK-ja, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u hiqet licenca të gjitha infermiereve të përfshira dhe po ashtu kërkon që të largojë licencën e operimit të qendrës “Orenda”, pasi që shihet se, sipas rastit të fundit, në këtë qendër ndodh keqtrajtimi me persona të moshuar.
Përveç kësaj, RrGK-ja fton Policinë e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të plotë duke arrestuar të gjitha infermieret e pranishme dhe fton të gjitha organet e tjera të drejtësisë që të hetojnë rastin me përgjegjësi të plotë dhe që infermieret, të cilat ushtrojnë dhunë, të marrin dënimin meritor.
Mes tjerash, bëjnë thirrje që gjatë punës me viktimën e moshuar, institucionet të kenë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme./Inlajmi/