Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërsa thotë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave, s’parasheh as rritje pensionesh, përcjell InLajmi.
Sipas saj saj, qeveria në projektbuxhet nuk ka parashikuar inflacionin me të cilin po përballet Kosova, ndërsa projektbuxheti nuk parasheh rritje pagash kundrejt inflacionit të lartë.
Për më tepër Bajrami ka theksuar se “Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ”buxhetin më të madh në histori”, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”.
Sipas saj, rritja e inflacionit po varfëron qytetarët dhe qeveria aktuale nuk ka asnjë plan për të tejkaluar situatën ekonomike e sociale në vend.
Postimi i plotë i saj:

Buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave, s’parasheh as rritje pensionesh
Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ”buxhetin më të madh në histori”, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit.
Inflacioni është 12.7 %. Për shportën bazë të konsumatorit rritja ka kalu 50 |%.
Më së shumti nga inflacioni po preken familjet pa të ardhura dhe ato me të ardhura të ulëta.
Në gjithë këtë situatë, Qeveria s’ka asnjë plan. Ndoshta, kjo Qeveri ka plan të ikë sepse deri më tash s’po shohim as hapa minimal për t’u përballur me këtë situatë të rënduar.
Partia në pushtet dhe komplet Qeveria janë kurthuar në temën e targave. Kanë shndërruar dialogun me Serbinë në temë qendrore. Konfrontimin me SHBA-në dhe BE-në e kanë bërë përditshmëri. Dhe, s’kanë asnjë zgjidhje për ekonomi, s’kanë zgjidhje për arsim, s’kanë zgjidhje as për shëndetësi.
Ndoshta, partia në pushtet dhe komplet Qeveria po punojnë në video propaganduese se si “Kosova po bëhet si Kroacia”?