Politologu Agon Maliqi, thotë se me këtë qasje Kosova rrezikon të humbë në paqe atë që e fitoi në luftë. derisa shkoqit disa argumente se pse kjo mund të ndodh, përcjell InLajmi.
Maliqi, ka vënë në theks disa komentues drejtuar ambasadorit Hill, ndërsa thotë se “Nëse i lexoni komentet e militantëve drejtuar Kris Hillit dhe zyrtarëve perëndimorë, Kosova duket se është nisur në rrugën e njëjtë të çmendurisë kolektive sovraniste dhe keqkuptimit të momentit gjeopolitik. Kosova me këtë qasje rrezikon ta humbasë në paqe atë që e fitoi në luftë’.
Maliqi, ka shtjelluar në pika të shkurtër historikun e Kosovës për liri e shtet në marrëdhënie e mbështetje ndërkombëtare ndërsa theksoi se “Në vitet 90, për botën Kosova ishte çështje pak a shumë e mbyllur nga kuptimi i sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare”
Për më tepër ai theksoi se si Serbia pas paraqitjes së UÇK-së mori kontroll efektiv në gjithë territorin e Kosovës, duke u munduar që ndaj ‘zgjimit’ të shqiptarëve të përgjigjej me dhunë.
Postimi i plotë i tij:
Në vitet 90, për botën Kosova ishte çështje pak a shumë e mbyllur nga kuptimi i sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare. Të gjithë ia pranonin atë ligjërisht Serbisë nga mënyra se si u vendos për shpërbërjen e Jugosllavisë mbi bazën e Komisionit të Badinterit. Neve perëndimorët na e bënin rrafsh e na jepnin shpresë për të na mbajtur në kurs të paqes, por maksimumi mendonin se dikur mund të kthehej ndonjë lloj autonomie.
Por ky lloj “sovraniteti” dhe “legaliteti” i Serbisë ishte i paqëndrueshëm sepse shqiptarët nuk e pranonin atë dhe Serbia, sidomos pas paraqitjes së UÇK, nuk kishte kontroll efektiv mbi territorin. Ajo u mundua ta “zgjidh” këtë problem me dhunë dhe përdorte argumente të ngjashme si këto të sovranistëve tanë legalistë, të tipit “kemi të drejtë të bëjmë çfarë të duam në këtë territor që na e keni njohur si tonin”.
Serbia dështoi jo vetëm për shkak të rezistencës tonë por mbi të gjitha sepse e keqkuptoi momentin gjeopolitik dhe kishte kuptim legalist e absolutist të konceptit të sovranitetit, i cili mund të kufizohet nga fuqitë nëse shkakton pasoja më të gjëra të sigurisë apo shkakton pasoja humanitare.
Nëse i lexoni komentet e militantëve drejtuar Kris Hillit dhe zyrtarëve perëndimorë, Kosova duket se është nisur në rrugën e njëjtë të çmendurisë kolektive sovraniste dhe keqkuptimit të momentit gjeopolitik. Kosova me këtë qasje rrezikon ta humbasë në paqe atë që e fitoi në luftë.