Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se si Bashkimi Evropian ashtu edhe vendet e Quint-it, gjithmonë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat ilegale si KM, GL e të tjera, pasi sipas tij, kjo është në përputhje edhe me marrëveshjen e Brukselit.
Madje, ai ka qenë shumë më i qartë sesa diplomatët tjerë kur ka theksuar se “serbëve të Kosovës duhet t’u bëhet e qartë se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”.
“Por … do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionim. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serbë të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Megjithatë, ai tha se edhe përfaqësuesit kosovarë edhe ata serbë duhet të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në shtensionim të situatës dhe se këshillat e partnerëve ndërkombëtarë duhet të ndiqen, njofton Klankosova.tv.
“Duhet më shumë sens i shëndoshë për çështjen e targave: Ne si BE dhe Quint kemi qenë gjithmonë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM etj. Kjo është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”, thotë Rohde, dhe shton: “Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm (në kërkesën) për një periudhë më të gjatë tranzicioni siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, për të zgjidhur edhe çështjet tjera të mbetura teknike në mënyrë pragmatike. Ne ende mendojmë se këshillat tona duhet të ndiqen”.
1/3 More common sense needed on the issue of licence plates: We as EU and QUINT have always been clear that Kosovo has the right to phase out of KM and etc. plates. This is in line with the Brussels’ agreements.
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS)November 1, 2022