Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se Kosova duhet të marrë shembullin e shtetit tij në mbylljen e çështjeve të hapura dhe rrugën për të ardhmen evropiane. Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, derisa shoti se ky është përfundimi të cilin e mbështet dhe e pranon Maqedonia e Veriut.
Grubi tha se duhet marrë shembull Maqedonia e Veriut në çështjen që kishte me Greqinë dhe Bullgarinë, zgjidhja e së cilave i hapi rrugë vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen… Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin ne e pranojmë”, tha Grubi në një intervistë për KosovaPress.
Numri 2 në Maqedoninë e Veriut tha se Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme dhe se sipas tij, janë vonuar në këto përpjekje.
Ai përmendi edhe nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kërkesën e tij për të hedhur poshtë akuzat për trafikim të organeve, të cilat janë miratuar disa vjet më parë në Këshillin e Evropës në kuadër të raportit të Dick Martyt.
“Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen shumë më tepër në politikën e jashtme, në veçanti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe të përpjekjeve të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, për liri, drejtësi, barazi, dhe pavarësi në Kosovë si dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ky bashkërendim i aktiviteteve tona është domosdoshmëri dhe vlerësoj që jemi vonë në këto përpjekje dhe do kisha mbështetur iniciativën qoftë ajo të vije nga kryeministri Kurti apo kryeministri Rama, ndërsa neve na kanë mbështetje gjithmonë. Asnjë e keqe Kosovës nuk mund t’i vije nga Shkupi apo Tirana, përkundrazi, do të ketë mbështetjen absolute në çfarëdo qoftë nisme, rajonale, kontinentale apo globale”, thotë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Grubi.
Javë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në Strasburg ku kërkoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të ndryshojë rezolutën e vitit 2011 dhe të hedhë poshtë akuzat për trafikim të organeve të cilat përmenden në raportin e senatorit, Dick Marty.
Kjo nismë sipas Grubit, duhet të mbështetet fuqishëm edhe nga institucionet Kosovës dhe partitë politike, përcjell Telegrafi
“Vlerësoj që kjo është një iniciativë të cilën duhet ta mbështesim të gjithë, institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, bota akademike dhe jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për arsye se kjo njollë, siç thash e padrejtë, po etiketon përpjekjet e gjithë kombit shqiptar për demokraci, për liri, për pavarësi, dhe vlerësoj që nëse unifikojmë përpjekjet tona ne do të ia dalim”.