Eksperimenti për testimin e shndërrimit të gjithë unazës qendrore në rrugë njëkahore, të premten ka shkaktuar “ bllokadë” e kolona të gjata në kryeqytet, raporton InLajmi.
Testimi për shndërrimin në rrugë njëkahshe, nuk ka filluar mbarë, por mbetet të shihet në ditët në vijim, nëse pjesëmarrësit në komunikacion do të kuptojnë lëvizjet e tyre, kuptohet edhe me policinë e trafikut të cilët do të orientojnë shoferët.
Ndoshta do të funksionojë e ndoshta edhe do të dështoj, projekti eksperimental i kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama, por mbetet të shihet ditëve në vijim.
Por nga ajo që shihet edhe nga fotografitë, vështirë të duket projekt i mbarë e i cili edhe do të jetësohet në praktikë.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës të enjten ka njoftuar se nga sot, për tri ditë radhazi do të vazhdojë testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Komuna bën të ditur se i gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Njoftimi i plotë i Komunës së Prishtinës.
Ju njoftojmë se, se nga dita e premte më datë 28 tetor deri të dielën më 30 tetor, vazhdon testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:
– Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë
– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Ukshin Hoti”
– Rruga “Robert Doll”
I gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor./InLajmi/