Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka deklaruar se mezi presin pjesëmarrjen e kryeministres serbe Ana Bërnabiq në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit të organizuar nga kancelari Olaf Scholz, dhe vlerësoi se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një rol qendror kur bëhet fjalë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, shkruan n1nfo.
Konrad theksoi se dialogu ka një rol qendror edhe kur bëhet fjalë për lirimin e resurseve për detyrat qendrore të zhvillimit të dy vendeve dhe për procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
“Këto synime nuk duhet të harrohen”, tha ambasadorja gjermane dhe theksoi se shtysa për përparim në dialog duhet të vijë nga 2 vendet, dhe theksoi se “e mbështesim plotësisht rolin koordinues të të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajçak”.
Ajo vuri në dukje se rritja e çmimeve të energjisë dhe disponueshmëria e reduktuar shpesh në mënyrë dramatike e disa burimeve të energjisë, janë një problem në të gjithë Evropën, njofton Klan Kosova.
“Është e qartë se zgjidhjen mund ta gjejmë vetëm së bashku. Një pyetje e rëndësishme për ne është se si mund t’i mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në çështje të rëndësishme të sigurisë energjetike dhe është e qartë se diversifikimi i burimeve të energjisë, nëpërmjet zgjerimit të burimeve të rinovueshme dhe, për shembull, duke përdorur potencialin e plotë të era dhe dielli, luajnë një rol qendror në gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Conrad.