Dushan Janjiq organizator i konferencës në të cilën ka pasur të marrë pjesë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar për Gazetën Express se numrit dy të Qeverisë së Kosovës i është dashur të kthehet prapa në Kosovë meqë autoritetet e Serbisë s’kanë garantuar për sigurinë e tij.
Janjiq ka konfirmuar se Bislimi edhe zyrtarisht ka anuluar pjesëmarrjen derisa ka shtuar se po përgatitin edhe një konferencë për media lidhur me këtë çështje.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar dje se zëvendëskryeministri Bislimi do të udhëtojë drejt Beogradit për të marrë pjesë në organizimin e Forumit Për Marrëdhenie Etnike që drejtohet nga Dushan Janjiq.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00.
Ditën e premte, do të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të “Belgrade Security Conference”, me temë “Kosova dhe Serbia, Shmangia e rrugës pa dalje”, me fillim nga ora 18:15″, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.