Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilluan takim sy më sy, ndërsa e para e shtetit të Kosovës, tha se është vendimtare që BE-ja t’i qëndrojë pranë Kosovës në krizën që po ballafaqohet, raporton InLajmi.
Presidentja Osmani, gjatë konferencës për media theksoi se tani ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarr masa për integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
Siç tha ajo Kosova dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Ballkan që nuk lëvizin lirshëm në BE.
“Vizita juaj rikonfirmon përkushtim e KE-së për Kosovën. Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë afër dhe në krizën që po ballafaqohet Kosova e rajoni. Shpresojmë që përmes një bashkëpunimi të afërt të lehtësojmë përmirësimin në infrastrukturës së energjisë elektrike. Ka ardhur koha që BE të ndërmarr masa në integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian. E di që jeni pro anëtarësimit të atyre vendeve që duan të jenë pjesë e BE-së”, deklaroi presidentja Osmani.
E para e shtetit të Kosovës vuri në theks përparimet e Kosovës sipas Raportit të progresit, ndërsa theksoi se prapë kosovarët janë të vetmit që nuk mund të lëvizin lirshëm në BE.
“Ne sipas raportit radhitemi të parët në rajon dhe të dytët në Evropë në sundimin e ligjit dhe kjo konfirmon punën e institucioneve në sundim të ligjit, madje ende qytetarët mbesin të mbyllur për të lëvizur lirshëm në BE”, tha Osmani.
Ajo foli edhe për rreshtimin e Kosovës krah së drejtës për luftën në Ukrainë.
“Ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë në raport me luftën në Ukrainë. Siç e dini, lufta në Ukraine ka shkaktuar tronditje në Evropë dhe madje kjo po e trondit edhe Kosovën, të cilët implikuan edhe në ekonominë zonë dhe globale”, u shpreh presidentja Osmani./InLajmi/