Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyen, ishte e pranishme ditën e sotme në Tiranë, ku pati edhe një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri tha se bashkë me zyrtaren e lartë evropiane vizituan edhe punimet e projektit të ri hekurudhor Durrës-Tiranë-Rinas, projekt i cili do të jetë i realizuar në pranverë të 2024
“Ne kemi ndjerë Komisionin Evropian nën udhëheqjen tuaj më afër se asnjëherë më parë dhe ndjeshmëria e njohur që në kohën e shërbimit si Ministre e Mbrojtjes ndaj kësaj zone të Ballkanit Perëndimor është bërë më e prekshme me drejtimin e Komisionit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që falë jush kemi pasur një mbështetje shumë të madhe pas tërmetit katastrofik, ashtu si kundër jemi të vetëdijshëm që edhe në këtë situatë kaq të vështirë për të gjithë jo vetëm për ne, falë qasjes së Komisionit dhe falë qasjes suaj ne nuk jemi vetëm. Kështu që dua ta falenderoj shumë presidenten për këtë ndalesë në Tiranë. Ishim për të parë punimet e hekurudhës së re, për shkak të një burogracie të bankës Evropiane, projekti ka nisur shumë më vonë se parashikimi por jemi në kushtet ku në pranverën e 2024 do të kemi aksin hekurudhor Tiranë -Durrës -Rinas. Takimi I sotëm ka një vlerë të veçantë për shkak se presidentja na ka informuar për të gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte që bombat dhe plagët janë në Ukrainë por pasojat ndjehen në të gjithë Europën, përfshirë edhe Shqipërinë në çmime e në inflacion”, shkruan TCH.
Më herët gjatë ditës, von der Lyen takoi krerët e shtetit të Kosovë, ku theksin e diskutimeve e vuri te çështja e targave. Gjatë vizitës tri ditore në Ballkanin Perëndimor Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, qëndroi të mërkurën në mbrëmje në Maqedoninë e Veriut. Pas vizitës në Tiranë, zyrtarja e lartë e BE-së do të shkojë në Podgoricë, Sarajevë dhe Beograd.