Targat po parashihet të jenë “mollë sherri” mes Kosovës dhe Serbisë, e për këtë ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të shtyejë afatin për targat të paktën edhe për 2 muaj, përcjell InLajmi.
Haradinaj ka thënë se nëse nuk ka shtyerje të re është e pritshme që bandat do të aktivizohen përsëri javën e ardhshme me rivendosjen e barrikadave, duke shkaktuar tension artificial në veri.
Ish diplomatja kosovare tha se këtë herë, KM Kurti t’ia falë mirëbesimin aleatit tonë amerikan dhe të pranojë një shtyerje të fundit fare për konvertimin e targave
Postimi i plotë i saj:
KM KURTI TË SHTYEJË AFATIN PËR TARGAT, NË MIRËBESIM NDAJ AMERIKËS!
Dy muaj më parë, Kurti kushtëzoi shtyerjen me heqjen e barrikadave nga bandat kriminale të Vuçiqit, duke i bërë praktikisht ata hisedarë të ‘paqes dhe rendit e ligjit’ në veri.
Nëse nuk ka shtyerje të re, është e pritshme që bandat do të aktivizohen përsëri javën e ardhshme me rivendosjen e barrikadave, duke shkaktuar tension artificial në veri.
Këtë herë, KM Kurti t’ia falë mirëbesimin aleatit tonë amerikan dhe të pranojë një shtyerje të fundit fare për konvertimin e targave, e mos të pritet derisa bandat kriminale riaktivizohen dhe rrjedhimisht bëhen sërish palë vendimtare në shtensionimin e situatës me kushtëzime ndaj Qeverisë së Kosovës.
Qeveria të bëjë shtyerjen vetëm edhe për 2 muaj (jo 10 sa kërkohet) dhe poashtu të paralajmërojë se pas datës 31 dhjetor 2022 secila veturë me targa ilegale do të konfiskohet deri në konvertim në targa RKS!
Më pas, ky lëshim (lexo: koncesion) të përdoret si levë në dialog për të shtuar presionin ndaj Serbisë si palë destruktive dhe kërcënuese e vazhdueshme e sigurisë/paqes në Ballkan, si dhe për të avancuar shtrierjen e pakompromis të rendit e ligjit në veriun e vendit./InLajmi/