Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi, ka deklaruar se nuk ka asnjë propozim gjerman për Asociacionin, raporton InLajmi.
Ndërsa ka folur për dialogun dhe modelin e Asociacionit në në konferencë për media të premten, përveç se ka mohuar modelin gjerman, ai ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të formuar sipas ligjeve të Kosovës.
“Nuk ka propozim gjerman, ka vetëm një propozim është Asociacioni i komunave, i cili duhet të formohet bazuar në ligjet ekzistuese të vendit. Nuk ka Asociacion që mund t’i kalojë ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Nuk mundet një shtet që ka bërë gjenocid në të kaluarën të vendosë kushte për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Abazi, ndërsa theksoi se është paradoks nëse besojmë në shtetin që ka kryer krime të garanton të drejta.
“Do të duket qesharake që një shtet që ka vrarë fëmijë e gra tenton të jetë garantues demokratik i të drejtave të serbëve në Kosovë, kjo është paradoksale”, theksoi Abazi.
Nga ana tjetër, deputeti Abazi, ka folur edhe për reformën zgjedhore derisa propozoi edhe hartimin e Ligjit të ri për zgjedhjet.
Sipas tij, reforma zgjedhore nuk është arritur në mungesë të vullneti politik
“Në këtë të premte do të flasë për reformën zgjedhore. Me 1 korrik Kuvendi pat themeluar Komisionin për reformë. Ky proces është stërzgjatur në mungesë të vullnetit politik. Po iu thërras të përcillini me kujdes këtë proces sepse është i vetmi ligj që vullneti i qytetarëve të mos deformohet. Ligji qe kemi ka lejuar deformimin për shkak të mungesës së mekanizmave. Masakrimi i votës ndodh në momentin e numërimit ne atë koment komisionerët bëjnë pazare se kujt do ti takojnë votat politike”, deklaroi Abazi.
Sipas tij me ligjin e ri duhet të evitohen manipulimet gjatë procesit zgjedhor.
“Ligji i ri duhet ta largojë këtë manipulim. Puna e parë që duhet të bëhet është dixhitalizmi i sistemit zgjedhor. Një pjesë e madhe e rajoneve mbetet e papërfaqësuar. Çështja tjetër është zgjedhja e presidentit nëpërmjet votës së qytetarëve. Ligji zgjedhor do të parasheh përzgjedhjen e kandidatëve në listën e kandidatëve. Duhet të kemi garë të brendshme mes kandidatëve që të dalin në pah njerëzit me ide dhe vizion. Rikonfirmojë thirrjen për të avancuar demokracinë që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe”, tha Abazi.
Kujtojmë se reforma zgjedhore është kërkuar tash sa vite ndërsa as edhe një herë subjektet politike nuk janë marrë seriozisht me draftimin ligjit aktual/InLajmi/




















