I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se e përkrahin Gjykatën Speciale.
Madje Escobar tha se “ende ka nevojë për Specialen”.
Tutje ai theksoi se duhet përkrahur ende mekanizmat që e përkrahin këtë organizëm.
“Ne e përkrahim punën e Speciales. Unë besoj se çdo herë e më shumë krimet e kryera në vitet ‘90 duhet të trajtohen nga autoritetet vendëse, në mënyrë të drejtë dhe proces të duhur. Por, besoj se ende ka nevojë për Gjykatën Speciale dhe mekanizmat që e përkrahin këtë organizëm. Prandaj, po, e përkrahim Gjykatën Speciale.”, ka deklaruar ai në Prime Time.
Ndryshe në kuadër të Gjykatës Speciale ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdojnë të mbahen në Hagë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë vetëm disa prej emrave që vazhdojnë të jenë në Hagë,në kuadër të procesit gjyqësor të Speciales.
Të njëjtit po vazhdojnë të akuzohen kinse për krime lufte të kryera në Kosovë.
Duhet përkujtuar që Escobar gjatë ditë së sotme përcjelli mesazhe të shumta, ndër to edhe nevojën për formimin e Asociacionit.
Po ashtu ai tha se në lidhje me këtë çështje ka biseduar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për atë se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për Kosovën.
“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar”,tha ai