Koreja e Veriut ka gjuajtur qindra predha artilerie në brigjet e saj lindore dhe perëndimore, ndërsa Koreja e Jugut kryente stërvitje vjetore të mbrojtjes që synojnë të rrisin aftësinë e saj për t’iu përgjigjur kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Phenianit.
Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut JCS thanë se Koreja e Veriut lëshoi rreth 250 predha në brigjet e saj lindore dhe perëndimore mbrëmjen e së martës së 18 tetorit, dhe 100 predha të tjera ditën tjetër.
Tutje u tha se predhat nuk ranë në ujërat territoriale të Koresë së Jugut, por ranë brenda zonave mbrojtëse detare që 2 Koretë krijuan sipas një marrëveshjeje ndër-koreane të vitit 2018, që synonte reduktimin e armiqësive të vijës së parë.
Incidenti shënoi herën e 2-të që Koreja e Veriut qëllon me predha në këto zona që nga e premtja e kaluar, kur gjuajti qindra predha atje në shkeljen e drejtpërdrejtë të saj më të rëndë të marrëveshjes së vitit 2018.
“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Koresë së Veriut që të ndalojë menjëherë veprimet e saj”, tha JCS në një deklaratë.
“Provokimet e vazhdueshme të Koresë së Veriut janë veprime që minojnë paqen dhe stabilitetin e Gadishullit Korean dhe komunitetit ndërkombëtar”, shtuan ata.
Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh të armëve në atë që i quan simulime të sulmeve bërthamore ndaj objektivave të Koresë së Jugut dhe SHBA-së në përgjigje të “stërvitjeve të rrezikshme ushtarake” të tyre që përfshijnë një aeroplanmbajtëse amerikane.
Pheniani i sheh stërvitjet e rregullta ushtarake midis Uashingtonit dhe Seulit si një provë pushtimi.
Koreja e Veriut ka testuar 15 raketa që kur rifilloi aktivitetet e testimit më 25 shtator. Njëra prej tyre ishte një raketë balistike me rreze të mesme veprimi që fluturoi mbi Japoni dhe demonstroi një rreze të aftë për të arritur në territorin e Paqësorit amerikan të Guamit dhe më gjerë, shkruan Al Jazeera
Tokio të martën vendosi sanksione shtesë ndaj pesë organizatave të Koresë së Veriut, duke përfshirë Ministrinë e Industrisë së Raketave të Phenianit dhe 4 firma tregtare, shkruan Klankosova.tv.
Disa ekspertë të huaj thonë se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të synojë përfundimisht të përdorë arsenalin e tij të zgjeruar të armëve për të bërë presion ndaj SHBA-së dhe të tjerëve që të pranojnë vendin e tij si një shtet legjitim bërthamor dhe të heqin sanksionet ekonomike ndaj tyre.