Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim ambasadorin jo-rezident të Portugalisë për Kosovë, Jorge Ayres Roza de Oliveira, me të cilin ka diskutuar mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes 2 shteteve mike, përcjell InLajmi.
Me këtë rast, kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje Ambasadorit portugez për përkrahjen të cilën shteti mik, Portugalia, i ka ofruar në vazhdimësi Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit po ashtu kërkoi mbështetje të mëtejme për liberalizimin e vizave dhe për proceset që ka përpara shteti ynë, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe në NATO, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare,
Ndërsa, ambasadori Oliveira shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ritheksoi mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike./InLajmi/