Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën priti në takim Shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel.
Në takimin u bisedua mbi agjendën evropiane të Kosovës për këtë vit, me theks procesin e liberalizimit të vizave.
Siç bëhet e ditur nga njoftimi zyrtar i Qeverisë, në takim u përmend aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilin u riafirmua mbështetja e Belgjikës.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, informoi z. Sassel për objektivin e Kosovës për të aplikuar deri në fund të këtij viti për anëtarësim në BE, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Qeverisë.
Tutje thuhet në njoftim se Bislimi e Sassel, diskutua edhe për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendin tonë për vitin 2022, e i cili sipas njoftimit u vlerësua progresi i bërë dhe u cilësua si ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët për këtë vit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.