Një 4 vjeçar të hënën është sulmuar nga qentë endacakë teksa po luante në oborrin e çerdhes “Gëzimi Ynë” në Prishtinë. Prindërit e tij kanë treguar se 4 vjeçari ishte sulmuar në prani të mësueses së tij, mirëpo sipas tyre, e njëjta nga trauma e marrë nuk ka arritur t’i ofrojë ndihmë. Ata thonë se disa herë ka pasur ankesa për rrezikun që u kanoset fëmijëve nga qentë endacakë, por që të njëjtat nuk janë marrë parasysh. Ndërsa, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se mbikqyrja e çerdheve nuk është në kompetencën e tyre.
“Për sigurinë e fëmijës tuaj, Ju lutem mbylleni deren”
As edhe kjo shenjë paralajmërimi, nuk kreu punë.
Kjo pasi, hapësira e rrethojave në oborrin e çerdhes publike “Gëzimi Ynë” në Prishtinë, mjaftoi që qentë të hyjnë në to e të kafshojnë një nga fëmijët.
4 vjeçari teksa po luante me bashkëmoshtarët u kafshua në dy këmbët nga qentë endacakë.
Prindi i tij, Hysni Lumi, thotë se për ngjarjen e ka lajmëruar mësuesja e djalit, duke i thënë që ka marrë vetëm disa gërvishje.
Lumi thotë se gjendja e djalit është përmirësuar, teksa tregoi se ankesa për këtë ka pasur edhe më parë por që janë anashkaluar.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se nuk është në kompetencën e tyre mbikqyrja e çerdheve.
Derisa, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, kanë thënë se problemet me qentë endacakë do të vazhdojnë edhe më tej, ani pse deklarojnë se janë duke u marrë intensivishtë me këtë çështje, raporton kanal 10.
Raste të shumta të sulmeve nga qentë endacakë, raportohen vit pas viti në komuna të ndryshme në Kosovë