Lideri aktual i Superligës, Drita, të shtunën do të luaj si mysafir i skuadrës së Drenicës.
Para kësaj ndeshje, në një konferencë për media ka folur trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.
Ai tha se Drenica po kalon në një formë të mirë, por që skuadra e Dritës është përgatitur aq sa kishte mundësi gjatë këtyre 2 diteve dhe shpreson që të kthehen me fitore.
“Kemi ndeshje me një skuadër që po kalon një formë të mirë, një skuadër e cila taktikisht luan mirë dhe futbollistë cilësorë. Nuk diskutohet ne kemi analizuar kundërshtarin, kemi përgatitur ekipin këto dy ditë sa kemi pasur kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e nesërme. Duhet me përqendrim dhe vlerësim maksimal t’i qasemi ndeshjes dhe të kthehemi te fitoret. Duhet të japim më të mirën tonë, qoftë edhe nga ndeshja e nesërme. Nga ndeshja në ndeshje e shoh skuadrën duke u rritur, por nuk ka kundërshtar të lehtë, prandaj duhet të bëjmë maksimumin tonë”, ka deklaruar Nuhiu.
Ai ka shtuar se skuadra e Dritës deri tani ka pasur ecuri pozitive, por që tash e tutje nuk ka kundërshtar të leht dhe duhet të japin maksimumin, shkruan IndeksOnline.
“Gjithmonë kërkojmë maksimumin, por nuk jemi vetëm në garë dhe kemi edhe kundërshtarë të cilët kanë qëllimet e tyre. Do të kërkojë gjithmonë nga skuadra të përmirësohemi, të marrim edhe më tepër, sepse e kemi mundësinë dhe futbollistët tanë kanë cilësi. Drita është nivel tjetër dhe kërkoj nga skuadra të kërkojmë maksimumin tonë, sepse ndeshjet do i bëjmë të lehta kur jemi në maksimumin tonë. Deri më tani kemi ecuri pozitive, por dhe kampionati sa vjen e rivalizohet. Tashmë, jemi takuar thuajse me të gjitha ekipet, i njojim më mirë dhe e kemi edhe më të lehtë për t’i analizuar kundërshtarët me të cilët do të përballemi. Duhet të bëjmë maksimumin tonë, pastaj të shohim edhe ecurinë e të tjerëve”, përfundoi Nuhiu.