Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin ukrainas. Kështu deklaroi presidenti Joe Biden para ceremonisë në të cilën presidenti rus Vladimir Putin do të deklarojë se katër rajone ukrainase janë pjesë e Rusisë, pas referendumeve të fundit në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, në të cilat sipas Kremlinit votuesit kishin zgjedhur aneksimin.
“Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t’i njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës”, tha Biden.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë sot (e premte) një rezolutë që dënon “referendumin” e aneksimit të disa rajoneve të Ukrainës nga Rusia, tekst që nuk ka mundësi të miratohet për shkak të së drejtës së vetos së Moskës.
Gjatë një takimi të parë të OKB-së për këto “referendume” të denoncuara si “qesharake” nga Perëndimi, Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do të vendosnin një rezolutë të tillë në tryezë me Shqipërinë.
Për të “dënuar referendumet e rreme, u bëni thirrje vendeve anëtare të mos njohin asnjë status të modifikuar të Ukrainës dhe të detyrojnë Rusinë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina”, tha ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. Dhe nëse Rusia përdor veton e saj “për të mbrojtur veten, atëherë ne do t’i drejtohemi Asamblesë së Përgjithshme për t’i dërguar një mesazh të qartë Moskës”, shtoi ajo.
Nëse vetoja ruse nuk vihet në dyshim, do të jetë mbi të gjitha qëndrimi i Kinës, ndonjëherë i akuzuar nga perëndimorët se është shumë pajtues me Rusinë, i cili do të shqyrtohet me kujdes. Pekini zyrtarisht neutral përsëriti këtë javë thirrjen e tij për respektimin e integritetit territorial “të të gjitha vendeve”.
Pozicioni i Indisë gjithashtu do të monitorohet nga afër. Dy vendet aziatike abstenuan në shkurt, një ditë pas pushtimit rus, kur Moska vuri veton ndaj një rezolute në Këshill që denonconte “agresionin” e saj ndaj Ukrainës.